Sfida e Operatorëve të makinerive Caterpillar

Sfida e Operatorëve të makinerive Caterpillar

Sfida e Operatorëve të makinerive Caterpillar


Çdo tetor, tashmë për të dhjetin vit radhazi, Qendra e Mësimit dhe Demonstrimit të Makinerive Caterpillar në Malaga, Spanjë, po kthehet në një skenë për konkursin e madh ndërkombëtar ku dhjetra operatorë makinerish ndërtimi nga e gjithë Evropa, Lindja e Mesme dhe Konfederata e Shteteve të Pavarura (ish republikat sovjetike) (CIS) synojnë të fitojnë atë që është quajtur konkursi më i vështirë në botë: Sfida e Operatorëve të makinerive Caterpillar.
 
 Në përvjetorin e saj të dhjetë, Sfida e Operatorëve të makinerive Caterpillar do të përgatisë sërish terrenin për një konkurs të fortë ku njerëzit dhe hekurat shpalosin cilësitë e tyre. “Koncepti mbetet i njëjtë çdo vit; aftësitë e konkurrentëve testohen dhe vlerësohen me pikë për makineri të ndryshme që variojnë nga më të mëdhatë deri te më të voglat dhe ai që grumbullon më shumë pikë në total shpallet fitues. Çdo vit përzgjedhja për në finalen e Malagës bëhet edhe më e vështirë dhe vetëm 48 operatorët më të mirë nga 23 vendet pjesëmarrëse shkojnë atje. Jam i sigurt se do të shohim një konkurs emocionues mes operatorëve më të mëdhenj,” shprehet Malcolm High, koordinatori i aktivitetit pranë Qendrës së Mësimit dhe Demonstrimit të Makinerive Caterpillar në Malaga.

Operatorët më të mirë nga Belgjika, Bosnja, Kroacia, Republika Çeke, Danimarka, Finlanda, Gjermania, Hungaria, Irlanda, Italia, Mongolia, Hollanda, Norvegjia, Polonia, Rumania, Rusia, Serbi-Mal i Zi, Sllovakia, Sllovenia, Suedia, Zvicra, Turqia dhe Emiratet e Bashkuara Arabe do të konkurrojnë për kampionatin e makinerive të ndërtimit. Për të arritur në finalen e Malagës pjesëmarrësit fillimisht duhet të fitojnë një sërë aktivitetesh të organizuara në rang lokal dhe kombëtar; më pas, çdo vend do të përzgjedhë një deri në dy operatorët më të mirë për të përfaqësuar vendin e tyre. Aktivitetet lokale të organizuara nga përfaqësuesi lokal i kompanisë Cat janë të hapura për këdo që i ka aftësitë e duhura për të marrë pjesë.

Konkursi më i vështirë në botë

Sfida e Operatorëve të Makinerive Caterpillar është konkursi i vetëm ndërkombëtar në botë që mbledh bashkë operatorë të makinerive të ndërtimit me specialitete dhe histori shumë të ndryshme nga njëri tjetri në një konkurs të standardizuar i cili mat aftësitë e tyre. Për ta fituar këtë konkurs, pjesëmarrësit duhet të dalin përgjithësisht mirë në të gjitha testet, të cilat zhvillohen me një gamë të gjerë makinerish Cat, që testojnë larminë e aftësive të individëve që nga ngarkimi i materialit deri tek manovrimi me paisjet e precizionit. Pikët personale nga çdo test i veçantë mblidhen dhe personi me pikët më të larta në total fiton. Testet ofrojnë një mundësi shumë të mirë për të shpalosur aftësitë dhe përkushtimin ndaj përsosmërisë të atyre që, çdo ditë, me punën e tyre i tregojnë botës se çfarë janë në gjendje të bëjnë makineritë Cat.

Në gjashtë vitet e fundit, fituesit e konkursit kanë ardhur nga Hollanda: Peter van Schaik ka fituar konkurset në 2007, 2006 dhe 2005, ndërsa bashkëkombësi i tij Ton Verdam ka fituar titullin tri herë rrjesht në 2002, 2003 dhe 2004. Çdo vit konkursi pritet të jetë më i vështirë se në vitet e tjera me pjesëmarrjen e 48 operatorëve më të zotë nga Evropa, Lindja e Mesme dhe Konfederata e Shteteve të Pavarura (ish republikat sovjetike) (CIS) të cilët mblidhen në Malaga.